Lajme

Vaksina, “viza” për të hyrë në universitete

Të hënën e 11 tetorit nis vaksinimi masiv i të rinjve në universitete të Shqipërisë. Dhjetëra vaksinatorë do të vendosen pranë shkollave të larta publike dhe private për të kryer vaksinimin e studentëve që nuk e kanë kryer këtë proces.

Vaksinimi masiv do të zgjasë një javë, ndërsa të hënën e 18 tetorit universitetet fillojnë vitin e ri akademik me rregulla anti-Covid. Sipas udhëzimeve, studentët dhe pedagogët që nuk kanë kryer vaksinën duhet që çdo javë të paraqesin tamponin për të provuar që nuk janë rrezik infektimi për të tjerët.

Kjo procedurë do të ndiqet edhe për ata që kanë marrë vetëm një dozë vaksine dhe detyrimi për kryerjen e tamponit do të zgjasë deri në marrjen e dozës së dytë anti-Covid. Ndërkohë ekspertët e shëndetit publik thonë se javët e fundit është rritur numri i të rinjve të vaksinuar.

Ekspertët e Shëndetit Publik u bëjnë thirrje të rinjve të shfrytëzojnë javën masive të vaksinimit, për të mbrojtur shëndetin dhe për të siguruar hyrjen në auditore./A2