Lajme

Studim: Vaksina e Covid-19 nuk ndikon ciklin menstrual te gratë

Sipas një studimi të ri në Britani, vaksinat kundër koronavirusit nuk e ndikojnë ciklin menstrual te gratë e vaksinuara.

Disa gra kanë raportuar ndryshime në ciklin e tyre menstrual, pasi janë vaksinuar kundër Covid-19, por hulumtimet e reja nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis vaksinës dhe periodave te gratë.

Sipas Reuters, dr. Victoria Male nga “Imperial College London”, e cila bëri para-publikimin në revistën “medRxiv”  (ende pa u botuar në një revistë shkencore) analizoi të dhënat për 1273 gra që mbanin shënime të detajuara të ciklit tyre menstrual para dhe pas vaksinimit.

“Ne nuk kemi qenë në gjendje të zbulojmë sinjale të forta që mbështesin idenë se vaksinat e Covid-19 shoqërohen me ndryshime në periudhën e menstruacioneve të një gruaje,” tha Male .

Megjithatë, ajo nuk përjashtoi që studime më të mëdha në të ardhmen ose në vende të tjera mund të gjejnë një lidhje mes periodave dhe vaksinës së Covid.

Megjithatë, ajo vuri në dukje se shumica e grave që raportojnë një ndryshim të tillë pas vaksinimit,  shohin se cikli tyre menstrual kthehet në normalitet në ciklin e ardhshëm.

Male tha gjithashtu se hulumtimet e tjera që janë bërë nuk kanë gjetur prova që vaksinat e koronavirusit ndikojnë në fertilitetin e femrave.