Lajme

Rregullatori i BE-së i barnave miraton dozën përforcuese të vaksinës Moderna për COVID

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tha të hënën se një dozë përforcuese e vaksinës Moderna kundër koronavirusit “mund të merret parasysh” te personat e moshës 18 vjeç e sipër.

Në një deklaratë, rregullatori i barnave të BE-së, tha se analiza e tyre kishte treguar se një dozë e tretë e dhënë e vaksinës Moderna – e cila zakonisht jepet në një skemë me dy doza – të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë, çoi në një ngritje të niveleve të antitrupave në të rriturit, nivelet e të cilëve bien me kalimin e kohës, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.

EMA tha se të dhënat e disponueshme aktualisht sugjerojnë se incidenca e efekteve anësore është e ngjashme me atë që vërehet pas dozës së dytë të vaksinës Moderna, e cila dihet se shkakton inflamacion të përkohshëm të zemrës dhe gjoksit në një numër të vogël njerëzish.

“Në nivel kombëtar, organet e shëndetit publik mund të lëshojnë rekomandime zyrtare për përdorimin e dozave përforcuese, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike lokale,” tha agjencia në një deklaratë.

Në fillim të këtij muaji, EMA tha se doza përforcuese e vaksinës COVID-19 të zhvilluara nga Pfizer/BioNTech gjithashtu mund të merren parasysh. Ata rekomanduan ndër të tjera, një dozë të tretë të vaksinave për njerëzit me sistem imunitar të komprometuar.

Dozat përforcuese të vaksinave të zhvilluara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna tashmë janë autorizuar nga zyrtarët amerikanë, por ka ende kufizime se kush kualifikohet në këtë mes.

Duke filluar nga gjashtë muaj pas vaksinimit të tyre të fundit Pfizer ose Moderna, njerëzit nxiten të marrin një dozë përforcuese nëse janë 65 vjeç e sipër, banues në një shtëpi pleqsh ose të paktën 50 vjeç dhe janë në rrezik të shtuar për sëmundje të rënda për shkak të problemeve shëndetësore.

Dozat përforcuese gjithashtu u lejuan edhe për të rriturit e çdo moshe në rrezik të shtuar të infeksionit për shkak të problemeve shëndetësore ose të punës ose të kushteve të tyre të jetesës.