Lajme

Rekomandohet vaksina Pfizer për fëmijët mbi 5 vjeç

Një panel i qeverisë amerikane ka votuar për të rekomanduar që vaksina Pfizer/BioNTech t’u jepet fëmijëve të moshës pesë deri në 11 vjeç.

Ekspertët e Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) e mbështetën këtë masë të martën, duke i hapur rrugën autorizimit emergjent brenda disa javësh.

Në shtator, kompania tha se të dhënat e saj të provës treguan se vaksina antiCovid ishte i sigurt për fëmijët në atë grupmoshë.

Shtetet e Bashkuara tashmë po japin vaksinën për ata të moshës 12 vjeç e lart.

Ky vendim i fundit prek rreth 28 milionë fëmijë amerikanë, transmeton rtv21.tv.

Vendimi tani pret miratimin e mëtejshëm nga FDA dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Ata pritet ta bëjnë këtë më 2 nëntor, që do të thotë se vaksinimet mund të fillojnë të nesërmen.

Fëmijëve të moshës pesë deri në 11 vjeç u jepet një injeksion me një të tretën e dozës që u jepet të rriturve.

Të dhënat zyrtare nga SHBA tregojnë se 160 fëmijë të moshës pesë deri në 11 vjeç kanë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Në total, vendi ka regjistruar afër 740,000 vdekje nga virusi./21Media