Lajme

Në Onkologji mungojnë citostatikët, besohet që këtë javë do ndodh furnizimi

Në Klinikën e Onkologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në të cilën brenda këtyre 9 muajve të vitit 2021 janë identifikuar rreth 300 gra me kancer të gjirit nga e premtja po mungojnë citostatikët që nevojitet për trajtimin e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje, për të cilët u tha se po shpresojnë që brenda kësaj jave do të furnizohen.

Kjo u bë e ditur gjatë vizitës së parë pasi mori detyrën si ushtruese e detyrës së ministres ë Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku e cila këtë vizitë e konsideroi si mbështetje për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit dhe profesionistët shëndetësorë.

Ushtruesja e detyrës së ministres ë Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku theksoi se luftimi i kancerit në Kosovë do të bazohet në një program nacional që do të zbatohet me një udhërrëfyes dhe protokolle moderne.

Gexha-Bunjaku ka bërë thirrje tek gratë që të bëjnë më shumë kontrolle mjekësore me qëllim të diagnostikimi të hershëm të këtyre sëmundjeve.

Ndërsa, drejtori i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK), Valbon Krasniqi u shpreh se situata pandemike në vend nuk ka penguar punën për avancimin e Klinikës së Onkologjisë e cila nga janari ka nisur edhe ofrimin e shërbimeve të brai-terapisë përmes të cilët janë trajtuar mbi 60 pacientëve.

Krasniqi njoftoi se nga java e ardhshme do fillojnë me shërbimin e mamografi mobile në komunat që nuk kanë këtë pajisje.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tha se në këtë nëntë mujor të vitit 2021 rreth 300 femra janë identifikuar me kancer të gjirit, ndërsa kjo Klinik ka ofruar mbi 200 mijë shërbime gjatë këtyre muajve.

Duke folur për mungesën e barnave nga lista esencial, Kurtishi tha se aktualisht ka mungesë të disa citostatikëve për të cilët beson se do furnizohen brenda kësaj jave.

Lidhur me këto mungesa në Klinikën e Onkologjisë ,u.d e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku tha se buxheti për listën esenciale ka qenë i ulët por që po bëjnë vazhdimisht përpjekje për plotësimin e mungesave.

Lidhur me problemin e placentave që janë në frigoriferët e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstertikës, drejtori i SHSKUK-së tha se ka disa muaj që janë në pritje të komunës së Prishtinës për të caktuar një hapësirë se ku do mund të groposen këto mbetje.

Ndërsa, për ikjen e profesionistëve shëndetësor, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, tha se si ministri do punojnë për të ofruar kushte më të mira të punës por edhe paga dinjitoze përmes Ligjit të Pagave.

Muaji tetor njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit./21media/