Shnetë

Ndryshime të ciklit menstrual pas vaksinës së Covid-19: Çfarë dihet deri tani

Vaksina e Covid-19 mund të vijë me shumë efekte anësore (krejtësisht normale), si ethe, të dridhura dhe dhimbje muskulore. Pra, është e natyrshme të pyesësh nëse mund të ndikojë përkohësisht në aspekte të tjera të shëndetit, si cikli menstrual.

Së pari, nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar gjatë periodave, as CDC dhe as Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) nuk i rendisin si një arsye për të shtyrë vaksinën.

Por përsa i përket asaj se si vaksina ndikon në menstruacionet në përgjithësi, disa gra kanë folur në rrjete sociale se si papritmas po përjetojnë perioda më të rënda se normalja, pas vaksinës.

Në një postim në Twitter, profesoresha e asociuar e Universitetit të Illinois, Kate Clancy, PhD, shkroi:

“Një kolege më tha se ka dëgjuar nga të tjerët se periodat e tyre ishin shumë më të rënda pas vaksine. Jam kurioze të di nëse menstruacionet tuaja kanë parë ndryshime. Unë jam një javë e gjysmë pas dozës së parë të Moderna-s dhe kam më shumë gjakderdhje se zakonisht, si të isha në të 20-at.”

Njerëz të tjerë ndanë historinë e tyre me Clancy. Disa tregonin të njëjtën eksperiencë dhe gra të tjera përmendnin ardhjen e periodave më shumë se një herë brenda muajit.

Pra, a janë ndryshimet në perioda një efekt i vaksinës?

Nuk ka ende një studim të mirëfilltë për këtë lidhje. CDC ka një program mbikëqyrjeje ku çdokush mund të raportojë efektet anësore që ka përjetuar pasi ka bërë vaksinën. Dhjetëra gra raportuan se kishin perioda më të rënda se zakonisht, ngërçe të dhimbshme dhe cikle menstruale të pazakonta pasi u vaksinuan, por duke qenë se çdokush mund të paraqesë gjithçka në sistem, e gjitha është vetëm “anekdotale” në këtë pikë.

Çfarë thonë ekspertët?

Ekspertët thonë se është vërtet e vështirë të dihet me siguri. Për ato gra që raportojnë më shumë dhimbje se zakonisht, “mund të ndodhë që dhimbjet post-vaksinë të kenë një lloj ngjashmërie me dhimbjet normale menstruale”, sipas ekspertit të sëmundjeve infektive, Amesh Adalja.

Gjakderdhja më e madhe është pak më e komplikuar për t’u shpjeguar. Një studim i vogël i 233 grave në moshë riprodhuese me Covid-19 raportoi disa ndryshime menstruale. Nga 177 pacientë me të dhëna për periudhat e tyre, 25% kishin “ndryshime të vëllimit menstrual”, 20% kishin perioda më të lehta se zakonisht dhe 19% kishin një cikël më të gjatë se zakonisht, sipas studimit, i cili u botua në janar në revistën Reproductive BioMedicine Online. Ndoshta është e mundur që vaksina të ketë një efekt të ngjashëm, por kjo nuk dihet me siguri për momentin.

Ekziston gjithashtu mundësia që stresi të luajë një rol. Stresi mund të jetë një justifikim i bezdisshëm dhe disi i paqartë për ndryshimet e lidhura me periodat, por është një mundësi reale, thotë Gloria A. Bachmann, dekane e asociuar për shëndetin e grave në shkollën mjekësore “Rutgers Robert Johnson” në New Jersey.

“Ciklet menstruale mund të ndryshohen ose të ndikohen nga shumë faktorë, duke përfshirë stresin, gjumin e dobët, ushtrimet fizike dhe disa ilaçe”, thotë ajo. “Prandaj, nuk do të ishte aq e pazakontë për disa gra të vinin re, pas vaksinës, ndryshime në periodat tyre.”

Ideja që një vaksinë mund të ndikojë në ciklin e një gruaje është e vështirë për t’u shpjeguar nga pikëpamja biologjike, megjithëse, Mark Turrentine, profesor i obstetrikës dhe gjinekologjisë, thotë:

“Nuk ka asnjë mekanizëm biologjik që do të llogariste prishjen e ciklit menstrual pas marrjes së vaksinës Covid-19.

Dr. Turrentine gjithashtu thekson se gjakderdhja e pazakontë vaginale “nuk ishte një efekt anësor i raportuar në asnjë nga provat klinike nga prodhuesit e vaksinave”.

Pavarësisht historive personale nga gratë në internet, ekspertja e shëndetit të grave Jennifer Wider, thotë se thjesht nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të treguar se vaksina mund të ndikojë në ciklet menstruale.

“A mund të ndërveprojë vaksina me hormonet e trupit ose a ekzistojnë faktorë të tjerë si stresi? Kjo mbetet për t’u parë,” thotë ajo./Health