Lajme

MSh kërkon respektim të masave anti-Covid në tubimet politike

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë ka kërkuar respektim të masave Anti-covid gjatë tubimeve politike.

Ai është shprehur se situata me pandeminë është e qetë, por që java mbetet kritike për shkak të tubimeve politike.

“Situata rezulton e qetë, por provojmë ta mbajmë situatën nën kontroll dhe të ndërgjegjësojmë publikun për rrezikun që mund të kanoset në vazhdimësi, kemi më pak se 100 pacientë që po kurohen në spitale, dhe disa spitale si ai i Pejës dhe Ferizajt nuk kanë më pacientë me COVID-19. Ajo që na preokupon është situata e procesit politik që ndërthuret me fushatën zgjedhore. Është hera e dytë që mbajmë zgjedhje gjatë pandemisë, por java mbetet kritike për shkak të tubimeve, dhe i bëj apel partive politike të respektojmë masat gjatë tubimeve”, thotë ai për A2 CNN.

Ndërsa, ai ka thënë se në uljen e numrit të rasteve me COVID-19 ka ndikuar ndërgjegjësimi nga frika për përmasat dramatike të muajve të mëparshëm dhe vaksinimi./Insajderi/

Hoti ka folur edhe për zhvillimin e procesit mësimorë me prezencë fizike, derisa ka thënë se rreth 94 për qind e mësimdhënësve janë të vaksinuar.

“Klasat janë të përgjysmuara deri më tani, por mund të pritet dhe rikthimi i plotë. Studentët kanë treguar gatishmëri për t’u vaksinuar, ashtu si mësuesit e vaksinuar kanë arritur rreth 94% të totalit”, shtoi ai.