Lajme

Maqedonia me mbi 10 mijë raste aktive, autoritetet bëjnë thirrje për vaksinim

Numri i rasteve aktive në Maqedoni është 10.625, ndërsa më së shumti ka në Shkup me 5.076 raste aktive. Në Kumanovë ka 935 raste aktive, në Tetovë 834, në Gostivar 405, në Kërçovë 350, në Veles 339, në Ohër 300 dhe në Prilep 279.

Sipas të dhënave të publikuara dje, ISHP gjatë 24 orëve të fundit kishte regjistruar 386 raste të reja nga 3.791 testime, tetë të vdekur dhe 529 pacientë të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë njofton se nga numri i përgjithshëm i të infektuarve me coronavirus gjatë dy muajve të fundit, 76% ose 28.856 pacientë nuk kanë qenë të vaksinuar. Përqindja e të hospitalizuarve momentalisht është 81 për qind, ndërsa vetëm 19 për qind janë pacientë të hospitalizuar. Vdekshmëria te pacientët pa vaksinë është më e madhe.

Siç thuhet në analizën e vaksinimit, nga rastet pozitive me coronavirus, të vaksinuar konsiderohen personat që u janë aplikuar dy doza të vaksinës dhe kanë kaluar 14 ditë nga pranimi i dozës së dytë, ndërsa nga periudha 06.08 deri 07.08.2021, në Maqedoni ka pasur 38.019 raste pozitive, prej të cilave 24% kanë qenë plotësisht të vaksinuar, ose 9.163.

Gjatë kësaj periudhe dy mojore, kanë humbur jetën 1.277 pacientë, prej të cilëve 1.070 prej tyre nuk kanë qenë të vaksinuar dhe vetëm 207 kanë qenë me vaksinë të pranuar.

Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për vaksinim duke ju bërë apel qytetarëve që të imunizohen.

“Secila vaksinë është e sigurt. Ju bëjmë thirrje qytetarëve të vaksinohen për arsye se vetëm kështu mund të marrim imunitetin kolektiv dhe të parandalojmë përhapjen e mutacioneve”, thonë nga MSH.