Film Kulturë

“Home Alone” pa Macaulay Culkinin

Aktori i njohur amerikan, 41-vjeçari Macaulay Culkin – i cili e ka portretizuar rolin e Kevin McCallisterit në filmin shumë të famshëm “Home Alone” – ka thyer heshtjen gati 2-mujore në media sociale këtë javë, për t’i informuar adhuruesit, pas publikimit të trailerit për ripërpunimin e kompanisë “Disney+”, “Home Sweet Home Alone”.

“Vetëm sa për t’ju treguar, pasi që më kanë pyetur shumë njerëz sot: NUK do të jem në ripërpunimin e filmit ‘Home Alone’”, ka shkruar ai në Twitter. “Ju dëshiroj shumë fat të gjithë njerëzve që janë pjesë e tij”.

Ekipi i aktorëve të filmit të ri “Home Sweet Home Alone” përbëhet nga Aisling Bea, Ellie Kemper, Rob Delaney dhe Kenan Thompson.

Në filmin e parë të vitit 1990 aktorët që portretizuan rolet kryesore ishin Macaulayi, Catherine O’Hara, Joe Pesci dhe i ndjeri John Candy. Skenari ishte shkruar nga John Hughes, i cili ka krijuar edhe “The Breakfast Club” dhe “Ferris Bueller’s Day Off”.

Më pas u zgjerua në disa vazhdime, ndër to më i famshmi është “Home Alone: Lost in New York”, që ishte publikuar më 1992. Të tjerat janë prodhuar posaçërisht për televizion dhe nuk e kanë përfshirë aktorin e filmit “My Girl”.

Në prill, Macaulayi kishte ndarë lajmin se partnerja e tij Brenda Song, ish-aktorja 33-vjeçare e filmit “The Suite Life of Zack and Cody”, kishte lindur një djalë.

Çifti e kishte pagëzuar të voglin Dakota, duke ia përtërirë emrin motrës së ndjerë të Macaulayt, e cila ka vdekur në një aksident trafiku.

Vitin e kaluar, Macaulay kishte blerë një maskë me motive të filmit “Home Alone” për ta mbrojtur veten nga COVID-19.

Ai kishte shkruar në atë kohë: “Po mbrohem nga COVID-19 me një maskë, ku në të jam unë kur kam qenë i vogël. Mos harroni të mbani maska, fëmijë”.

Image