Lajme

Epidemiologia Haxhiu: Nuk duhet të lirohemi, rastet mund të rriten nëse s’jemi të kujdesshëm

Ndonëse ka rënë numri i rasteve me COVID-19, edhe për dy javë të tjera masat antiCOVID që janë marrë do të vazhdojnë të mbesin ne fuqi.

Megjithatë, shumë nga këto masa të vendosura nga Qeveria nuk po respektohen nga qytetarët.

E mosrespektimi i tyre shihet me mjaft shqetësim nga epidemiologët, të cilët thonë se kjo mund të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve.

Edita Goranci-Haxhiu epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), thotë se qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat si, vendosjen e maskës, higjienën dhe distancën fizike.

“Rastet mund të rriten nëse nuk jemi të kujdesshëm. Këto masa kur popullata i respekton atëherë rastet bien, sikur tani, që kemi numër më të vogël. Asnjëherë nuk duhet të lirohemi dhe të mos i respektojmë masat”, thotë ajo.

Kosova, më 8 tetor, ka regjistruar 25 raste të reja me koronavirus, derisa vetëm një muaj më parë në ditë shënoheshin mbi 1 mijë raste.

Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19 në Kosovë, mund të jenë në fuqi edhe për dy javët e ardhshme, siç ka njoftuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), pas një takimi me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku/Sinjali/