Lajme

Dega e Kryqit të Kuq në Gjakovë e mobilizuar për nevojtarët në muajin e solidaritetit

Dega e Kryqit të Kuq në Gjakovë është mobilizuar si kurrë më parë që t’u dalë në ndihmë nevojtarëve, në këtë tetor që njihet si “muaj i solidaritetit”.

“Jemi mobilizuar maksimalisht të grumbullojmë ndihma nga qytetarët, në artikuj ushqimor, higjenik, shtrojë, mbulojë, veshmbathje”, ka treguar për KOHËN, Fllanza Bakija-Lama, sekretare e degës së Kryqit të Kuq në Gjakovë.

Një rëndësi të veçantë në këtë muaj të solidaritetit sipas zonjës Bakija-Lama kjo degë i ka kushtuar fuqizimit të Kryqit të Kuq, gjë e cila indirekt paraqet një garancë për fuqizim dhe mirëqenie të nevojtarëve.

“Parashohim prezantimin e Kryqit të Kuq në të gjitha shkollat e Gjakovës, për me i vetdijësu nxënësit për rëndësinë e ndjenjës së humanizmit, me e zgju tek ata ndjenjën e humanizmit dhe rëndësisë së voluntarizmit, duke anëtarësuar nxënësit dhe stafin nëpër shkolla si vullnetarë të Kryqit të Kuq”, ka sqaruar ajo.

Si specifikë në këtë muaj solidariteti dega e Kryqit të Kuq në Gjakovë e ka një projekt të përgatitur nga vullnetarët e saj të rinj, që quhet “Feelings in a robe”.

“Vullnetarët po blejnë duksa me çmim të lirë, e vendosin një thënie në duksa dhe mendojmë me i shitë duksat me një çmim pak më të lartë dhe fitimi nga shitja do të shkojë për familjet në nevojë”, ka sqaruar Bakija-Lama.

Dega e Kryqit të Kuq në Gjakovë sipas zonjës Bakija-Lama ka të evidencuara 1200 familje në nevojë, prej të cilave 250 familje jetojnë në varfëri të skajshme, të cilat nuk e kanë të siguruar ushqimin as në baza ditore.

Ajo ka sqaruar se Kryqi i Kuq i ka në prioritet përkujdesjen për pleqtë e vetmuar, që janë rreth 30 në Gjakovë, pastaj gratë vetëushqyese dhe familjet nevojtare që kanë anëtarë me probleme shëndetësore dhe të paaftë për të punuar.

Muaji i solidaritetit që ka filluar më 1 tetor, sekretarja e Kryqit të Kuq thotë se vazhdon më shumë se një muaj, pasi nuk mund të kryhet çdo gjë për një muaj.

“Vitin e kaluar kemi punuar nga 1 tetori deri në fund të vitit dhe kemi pasur shumë sukses, edhe këtë vit do të punojmë njëjtë dhe besoj që do ta realizojmë misionin me sukses”, ka thënë Bakija-Lama.

Duke qenë se ndihmat humanitare nga organizata ndërkombëtare në Kosovë janë vetëm simbolike, nevojtarët e Kosovës varen kryesisht nga solidariteti dhe humanizmi i qytetarëve të Kosovës.

Sekretarja e Kryqit të Kuq në Gjakovë thotë se ndjenja e dhurimit, ndjenja e humanizmit në Gjakovë është prezente tek shumica e qytetarëve./KOHA/