Lajme

Certifikata COVID-19 bëhet e detyrueshme për punëtorët italianë

Certifikata shëndetësore COVID-19, nga sot, është bërë e detyrueshme për të gjithë punëtorët në Itali.

Me këtë certifikatë, të gjithë atyre u kërkohet të dëshmojnë se janë vaksinuar kundër sëmundjes, janë shëruar nga infeksioni, ose kanë rezultuar negativë ndaj tij.

Më shumë se 85% e italianëve të moshës mbi 12 vjeç kanë marrë së paku një dozë të vaksinës anti-COVID, por rreth tre milionë punëtorë vlerësohet se janë ende të pavaksinuar.

Vendimi për ta bërë certifikatën të detyrueshme është një nga masat më të ashpra në botë kundër sëmundjes COVID-19.

Një punëtor pa të rrezikon të pezullohet nga puna pa pagesë dhe mund të gjobitet deri në 1,500 euro.

Keqardhja për certifikatë të rreme dhe pendimi për mosvaksinim

Sipas një sondazhi të kryer nga qendra Ipsos, dy të tretat e italianëve konsiderojnë se certifikata e tillë është e nevojshme.

Megjithatë, kundërshtarët kanë organizuar protesta në Romë, më 9 tetor, ndërsa tubime të tjera priten edhe gjatë ditës së sotme.

Italia e ka bërë të detyrueshme certifikatën për mësuesit dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik qysh më herët, ndërsa punonjësve të kujdesit shëndetësor u është kërkuar vaksina qysh në prill.

Certifikata kërkohet për hyrjen edhe në bare, restorante, kinema dhe stadiume futbolli./REL/