Lajme

Agjencia amerikane thotë se Moderna nuk ka përmbushur kriteret për dozën shtesë të vaksinës

Shkencëtarët në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) thanë të martën se Moderna nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret e agjencisë për të miratuar përdorimin e dozave shtesë të vaksinës së saj kundër COVID-19, ndoshta sepse efikasiteti ka mbetur i fortë me dy dozat e para.

Sipas medieve të huaja,  stafi i FDA-s tha në dokumente se të dhënat për vaksinën e Modernës treguan se doza shtesë rrit antitrupat mbrojtës, por ndryshimi në nivelet e antitrupave para dhe pas dozës nuk ishte mjaft i gjerë, veçanërisht në ato nivelet e të cilëve kishin mbetur të larta.

Dokumentet u publikuan përpara një takimi që pritet të mbahet këtë javë të këshilltarëve të jashtëm të agjencisë për dozën përforcuese të vaksinës.

FDA zakonisht ndjek këshillat e ekspertëve të saj, por nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Një panel këshilltarësh te Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të takohet javën e ardhshme për të diskutuar rekomandimet specifike se kush mund të marrë dozat përforcuese, nëse FDA-ja i autorizon ato.